Nga Rajoni
7 October 2026
Zgjedhja e presidentes, avokati Arianit Koci i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, njoftimin për moszbatimin e aktigjykimit që lidhet me procedurën për zgjedhjen e Presidentit/es të Kosovës.

Koci ka deklaruar se Kushtetuesja kishte përcaktuar se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026, ndërkohë që sipas tij votimi kishte vazhduar edhe me 7 tetor 2026.

“Sot kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26, me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Gjykata kishte përcaktuar qartë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026. Jemi dëshmitarë se deputetët kanë votuar edhe me datën 7 tetor.”- ka thënë Koci.

Koci ka theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme.

“Në këtë aktgjykim theksohet edhe pasoja juridike në rast se afati nuk respektohet, ajo është shpërndarja e Kuvendit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme. Pa zbatimin e tyre, nuk ka shtet e shoqëri.”- tha Koci.

Kuvendi i Kosovës zgjodhi presidenten e re të Republikës.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota nga 83 deputetët që morën pjesë në votim pak para mesnatës më 06.10.2026. Votimi i presidentes ndodhi pak minuta pas votimit në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Me këto votime ka përfunduar edhe protesta e zhvilluar për 21 net me radhë, e organizuar pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Gjykata Kushtetuese pati konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Një nga emrat që ishte propozuar për president ishte Bekim Sejdiu. Ai më 14.09.2026 njoftoi se është tërhequr nga kandidatura.

Sejdiu ishte propozuar nga LVV dhe LDK, por kandidatura e tij nuk arriti të kalojë në fazën e votimit, pasi disa deputetë të LDK-së dolën kundër. /kallxo.com 



Të ndryshme
Më shumë
Shqiptarët për herë të parë me drejtor në BSP, ja kush do të jetë drejtor14 September 2020
Papa Françesku e konsideron vaksinimin “gjest të dashurisë”18 August 2021
Osmani: Ministrja portugeze ka shprehur keqardhje për deklaratat për gjuhën maqedonase 1 July 2021