Nga Rajoni
7 October 2026
Arrestohet biznesmeni Valon Lluka, dyshohet për mashtrim dhe tri vepra të tjera penale

Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Telegrafi mëson se Lluka kishte kallëzim penal nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Lajmin për ndalimin e tij e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes zëdhënëses Kaltrina Shala.

Sipas Shalës, Lluka dyshohet për disa vepra penale, përfshirë “Mashtrimin”, “Shpërdorimin e pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhjen e kontratës së dëmshme”.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi’, nga neni 323, ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, nga neni 318, ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, nga neni 284, si dhe veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ajo ka bërë të ditur se lidhur me rastin, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.

“Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë.

Shala ka shtuar se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të dyshuarit.

Rasti mbetet nën hetim, ndërsa deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, Lluka konsiderohet i pafajshëm, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë.



Të ndryshme
Më shumë
Kurti nderon Enver Zymberin në dhjetëvjetorin e rënies në krye të detyrës26 July 2021
Hashim Thaçi, presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët 8 May 2026
Macron në OKB: Është e turpshme të mos reagojmë përballë asaj që po ndodh në Gaza23 September 2026