Nga Vendi
11 October 2026
Klekovski: Kanë arritur 30 mijë vaksina kundër gripit

 

Kanë arritur 30 mijë vaksina kundër gripit nga prodhues evropianë dhe koreanojugorë, konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, i cili në një deklaratë për televizionin Sitel tha se imunizimi nuk do të vonohet dhe do të fillojë me kohë, si çdo sezon.

Deri në mesin e nëntorit pritet të arrijnë edhe 26 mijë doza, ndërsa pak më vonë vendi pritet t’i marrë edhe vaksinat e mbetura, për të arritur numrin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash.

“Sasitë e para të vaksinave arritën dje në vend dhe do t’u nënshtrohen kontrolleve dhe testimeve të nevojshme. Presim që të martën të aktivizohet sistemi ‘Termini Im’ për paraqitjen për vaksinim dhe sipas planit, deri në fund të javës ose në fillim të javës së ardhshme të fillojmë t’i ftojmë qytetarët për vaksinim”, tha Klekovski për TV Sitel.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet shëndetësore njoftuan se kishte vonesa në furnizimin me vaksina, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i kishte publikuar më vonë se zakonisht shtamet e virusit për këtë sezon, për çka prodhuesit në Evropë dhe vende të tjera kishin nisur prodhimin dhe dërgesat me vonesë.

Edhe sezonin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë siguroi 80 mijë vaksina kundër gripit, të cilat ishin falas për grupet e rrezikuara.
Sipas Klekovskit, me 30 mijë vaksinat e arritura dje mund të vaksinohen nga 1.500 qytetarë çdo ditë pune deri më 15 nëntor.
“Me këto 30 mijë vaksina presim të mund të vaksinojmë nga 1.500 qytetarë në ditët e punës deri më 15 nëntor. Më pas, me 26 mijë dozat e ardhshme mund të arrijmë në 56 mijë deri në fund të nëntorit dhe shpresoj që deri atëherë të mbërrijnë edhe 25 deri në 30 mijë dozat e tjera, për të arritur numrin e planifikuar prej 80 mijë vaksinash”, deklaroi Klekovski.



Të ndryshme
Më shumë
Mbanin të mbyllur shtetasen e Italisë në një apartament në Ohër, paraburgim për dy të rinj 6 July 2020
Carovska: Viti i ri shkollor do të fillojë me prezencë fizike, nëse këtë e lejon gjendja epidemiologjie në vend28 June 2021
Digjet një automjet në bulevardin “Video Smilevski-Bato” në Shkup13 May 2025