Nga Rajoni
13 October 2026
Presidentja, Justina Shiroka-Pula, ende s’e ka pranuar Ligjin për Specialen

Presidenca e Kosovës ende nuk e ka pranuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa procedurat për dërgimin e tij te presidentja Justina Shiroka-Pula varen nga përfundimi i afatit për kontestim në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, i cili ka sqaruar se Kuvendi mund t’ia dërgojë ligjin presidentes vetëm pasi të përfundojë afati tetëditor për kontestim në Kushtetuese, i cili përfundon më 15 tetor.

“Presidenca nuk e ka pranuar ende Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas procedurës, Kuvendi e dërgon te Presidentja vetëm pas mbylljes së afatit 8-ditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, deri më 15 tetor. Pastaj Presidentja Justina Shiroka Pula i ka në dispozicion 8 ditë për të ndërmarrë veprime”, ka deklaruar Kupina për Gazetën Online Reporteri.net.

Kuvendi i Kosovës i miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Ndryshimet u miratuan pas dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hahsim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi,  më 16 shtator, me gjithsej 81 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar synon ta kufizojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara në vepra të caktuara që lidhen me pretendimet për trafikim të organeve, si dhe vrasje të paligjshme, torturë dhe trajtim mizor ose çnjerëzor në rrethana të përcaktuara në tekstin e tij.

Ndër ndryshimet kryesore është kufizimi i juridiksionit kohor dhe lëndor të gjykatës, si dhe parashikimi që procedurat që nuk përfshihen në juridiksionin e ri të kalojnë te institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Projektligji parasheh gjithashtu transferimin në Kosovë të personave të paraburgosur që nuk do të përfshiheshin më në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, si dhe një kufi maksimal prej 15 vjetësh burgim për dënimet e shqiptuara nga kjo gjykatë. Po ashtu, parashihet mundësia e faljes individuale nga presidenti për personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë, ssgkruan Reporteri.net.

Sipas procedurës së përshkruar nga Kupina, pasi ligji t’i dërgohet presidentes, ajo do t’i ketë në dispozicion tetë ditë për të ndërmarrë veprimet përkatëse.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kanë nxitur reagime nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Bashkimi Evropian është shprehur “thellësisht i shqetësuar”, duke vlerësuar se ndryshimet janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Brukseli i ka bërë thirrje vendit që të respektojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe zotimin për të garantuar llogaridhënie e drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet.

Edhe Gjermania ka shprehur mbështetje për qëndrimin e BE-së. Ambasada gjermane në Prishtinë ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar në bazë të ligjit të Kosovës dhe i mbështetur në Kushtetutë, duke nënvizuar se pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht. /Reporteri.net/



Të ndryshme
Më shumë
Hamilton: Mu ndal zemra kur shpëtheu goma e makinës 3 August 2020
Nga Ardita Sinani: Një ditë historike për Luginën e Preshevës 5 December 2025
Pfizer kërkon autorizim për dozën e tretë të vaksinës 9 July 2021