Nga Bota
4 November 2026
Sulm kibernetik ndaj qendrës së rezervave të gjakut në Francë, hakerët tentuan të ngrohnin mostrat në 110°C

Një sulm kibernetik ndaj objekteve që përdoren për ruajtjen e mostrave të gjakut në Francë ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e infrastrukturës kritike shëndetësore.

Sipas raportimeve të medias franceze Le Canard Enchaîné, hakerët kanë ndërhyrë në sistemet e ftohjes së njësive ku ruheshin mostrat biologjike, duke tentuar të rrisnin temperaturën deri në 110 gradë Celsius.

Sulmi dyshohet se ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe së hënës dhe kishte në shënjestër ambiente të administruara nga Institucioni Francez i Gjakut (EFS). Sipas raportimeve, autorët arritën të depërtonin në sistemet e kompanisë Coolworld, e cila mirëmban kontejnerët e ruajtjes së përdorur nga EFS.

Objektet e prekura ndodheshin në rajonin Bourgogne-Franche-Comté.

Normalisht, njësitë e ruajtjes mbahen në temperaturë rreth minus 30 gradë Celsius për të garantuar ruajtjen e sigurt të mostrave të gjakut të dhuruar.

Megjithatë, hakerët dyshohet se ndryshuan parametrat e temperaturës nga distanca, duke programuar sistemet që të arrinin deri në 110 gradë Celsius.

Ndërhyrja u zbulua në kohë nga një teknik që ishte në detyrë gjatë natës dhe vuri re rritjen e pazakontë të temperaturës.

Ministria franceze e Shëndetësisë bëri të ditur se incidenti nuk pati pasoja operacionale, pasi sistemi u identifikua dhe u neutralizua para se të shkaktonte dëme.

Autoritetet sqaruan gjithashtu se mostrat e prekura ishin pjesë e një sistemi monitorimi shëndetësor të lidhur me transfuzionet e gjakut.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje paralajmërimet e mëparshme të ekspertëve të sigurisë kibernetike. Më 12 tetor, agjencia kombëtare franceze e sigurisë kibernetike CERT-FR kishte lëshuar një alarm për cenueshmëri në disa sisteme kontrolli të pajisjeve të ftohjes dhe refrigerimit, duke paralajmëruar operatorët që të mos i linin ndërfaqet e menaxhimit të aksesueshme drejtpërdrejt nga interneti.

Ekspertët e sigurisë e shohin incidentin si një sinjal alarmi për rreziqet që paraqesin sulmet kibernetike ndaj sistemeve të lidhura me sektorin e shëndetësisë dhe infrastrukturat kritike.

 



Të ndryshme
Më shumë
Kurti shpjegon pse nuk e mbështeti Osmanin për mandat të dytë 6 March 2026
Policia në Serbi arreston një burrë dhe e fut në veturë zyrtare, ai hap derën tjetër dhe arratiset25 October 2026
Tirana shpalli “Qytetarë Nderi” ish-krerët e UÇK-së30 September 2026