Nga Bota
7 November 2026
SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ndaj Iranit, duke shënjestruar një pajisje të mbrojtjes kundërajrore, ka bërë të ditur presidenti amerikan, Donald Trump.

Duke folur për gazetarët të premten, Trumpi deklaroi se ushtria amerikane e kishte shkatërruar pajisjen brenda pak minutash.

“Ata kishin vendosur një lloj pajisjeje kundërajrore, ndërsa ne e shkatërruam për rreth 15 minuta, ndoshta edhe për pesë minuta”, tha Trumpi, duke e cilësuar operacionin si një sulm të kufizuar.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan për dy shpërthime në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.

Sulmet e reja vijnë pas një operacioni të ngjashëm amerikan të hënën, kur shpërthime u raportuan në ishujt Qeshm dhe Hengam, si dhe në qytetin bregdetar Bandar Abbas.

Pavarësisht përshkallëzimit të situatës, Trumpi tha se komunikimet me Teheranin po vazhdojnë.

“Ne po flasim me Iranin. Po flasim gjatë gjithë kohës”, deklaroi presidenti amerikan, pa dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e bisedimeve.

Programi bërthamor iranian mbetet një nga pengesat kryesore për arritjen e marrëveshjes, pasi Uashingtoni kërkon që kjo çështje të përfshihet në çdo zgjidhje të konfliktit.

Ndërkohë, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) ka ofruar shpërblim deri në 20 milionë dollarë për informacione që ndihmojnë në identifikimin e objekteve, pajisjeve dhe personelit të lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Në përpjekjet për uljen e tensioneve janë përfshirë edhe vendet e Gjirit. Katari, i cili ka ndërmjetësuar më parë mes Uashingtonit dhe Teheranit, po zhvillon kontakte diplomatike me palët për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. 



Të ndryshme
Më shumë
Sot do të mbahen tubime në disa vende të diasporës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së19 September 2026
Granit Xhaka reagon pas aktgjykimit në Hagë: Luftuan në tokën e tyre për lirinë e atdheut17 September 2026
VLEN: “AKI ishte mashtrimi më i madh politik i viteve të fundit”21 November 2025