Sport
13 November 2026
Mediat zvicerane reagojnë për vendimin e Lutfi Dalipit: Një tjetër talent zgjedh Kosovën para Zvicrës

Mediumet zvicerane Blick dhe 20 Minuten i kanë kushtuar vëmendje vendimit të 20-vjeçarit, Lutfi Dalipi, i cili pas paraqitjeve mbresëlënëse te Vaduzi ka vendosur që në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën.

Vendimi i Lutfi Dalipit për të veshur fanellën e Kosovës ka marrë vëmendje të madhe edhe në mediat zvicerane.

Dy prej portaleve më të mëdha, Blick dhe 20 Minuten, kanë raportuar për zgjedhjen e talentit të madh 20-vjeçar.

Blick ka publikuar lajmin me titullin “Talenti i madh ka marrë vendimin për kombëtaren”, duke konfirmuar se Dalipi do të luajë për Kosovën.

Mediumi zviceran thekson se futbollisti, i cili ka lindur dhe është rritur në Zvicër, ka qenë pjesë e përfaqësueseve të grupmoshave të këtij shteti deri te U21.

 

Gazeta shkruan se Dalipi kishte mundësi të zgjidhte mes Kosovës, Shqipërisë dhe Portugalisë, por vendosi që premtimin ndaj gjyshit të tij për të përfaqësuar njërën prej dy vendeve shqiptare ta realizojë duke zgjedhur Kosovën.

Edhe 20 Minuten i ka kushtuar vëmendje rastit të tij, duke e cilësuar si një tjetër talent që i thotë “jo” përfaqësueses zvicerane. Me titullin “Çështje zemre – talenti i radhës i kombëtares i thotë jo Zvicrës”, mediumi kishte vënë në pah refuzimin e Dalipit për të vazhduar me Zvicrën.

 

Dalipi po kalon një sezon të shkëlqyeshëm me Vaduzin, ku është i huazuar nga Young Boys, duke regjistruar paraqitje që kanë tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të mëdha evropiane, pas 5 golave dhe 9 asistimeve deri tani.

Zgjedhja e tij për Kosovën vjen pas rasteve të Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit, të cilët gjithashtu vendosën të mos e përfaqësojnë Zvicrën, por Dardanët. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Frika nga COVID-19, Suedia ndalon hyrjen për kosovarët 3 September 2021
Moti me diell dhe shumë i ngrohtë, temperatura deri në 41 gardë24 June 2021
Evropianët më të pavarësuar, të rinjtë në Maqedoni qëndrojnë në shtëpitë e prindërve deri në moshën 30.7 vjeç17 September 2026