Interpretimi i këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit zyrtar të hapjes së Forumit të dytë të Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel shkaktoi polemika diplomatike dhe politike.
Ngjarja po zhvillohej në prani të komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila ishte nikoqire e forumit. Përfaqësuesit e Kosovës, diplomatët dhe deputetët e Parlamentit Europian kërkuan shpjegime nga Komisioni Europian dhe personalisht nga Kos për përfshirjen e këngës në program.
Koncerti ishte pjesë e programit zyrtar të Forumit të dytë të Zgjerimit të BE-së, i mbajtur në Bruksel nën temën “Europa më e gjerë”.
Mbrëmja muzikore filloi në orën 18:30 të së dielës dhe vazhdoi deri në orën 21:30. Në program ishin grupi slloven Kapobanda, Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor dhe muzikanti Marko Hatlak.
Marta Kos ishte nikoqire e pritjes dhe e mbrëmjes hapëse të forumit.
Programi kryesor i së hënës përfshiu fjalime nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidenti finlandez, Alexander Stubb, komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Oj Kosovo, Kosovo” u interpretua si pjesë e programit të koncertit. Kënga u luajt në formë instrumentale, pa u kënduar teksti i saj, por titulli iu shfaq publikut.
Analistja e politikës së jashtme, Donika Emini, u largua nga salla pas interpretimit dhe kërkoi informacione se kush e kishte përzgjedhur këngën dhe kush e kishte miratuar përfshirjen e saj në program, siç shkruan agjencia bullgare e lajmeve, BGNES.
“Nuk mendoj që është prej pakujdesisë”, i tha Emini Radios Evropa e Lirë, duke theksuar se problemi nuk qëndron te gjuha serbe e këngës, por te pretendimet territoriale ndaj Kosovës që përmban teksti i saj.
Ajo kritikoi edhe faktin që komisionarja europiane për Zgjerim, Kos, ua atribuoi përzgjedhjen e këngës muzikantëve, duke theksuar se përgjegjësia për repertorin nuk mund të shmanget në këtë mënyrë.
Emini tha se incidenti ngre shqetësime më të gjera për qasjen e Bashkimit Europian ndaj Kosovës, veçanërisht në një kohë kur të dyja palët po përpiqen t’i riparojnë marrëdhëniet pas tensioneve të viteve të fundit.
Kosova s’u ftua institucionalisht
Polemika u thellua më tej për shkak se Kosova nuk ishte në mesin e pjesëmarrësve të ftuar në forum.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Zulfaj, kritikoi mungesën e një ftese për përfaqësuesit institucionalë të Kosovës, por Kos e kundërshtoi pretendimin se Kosova nuk ishte ftuar në Forum.
“Nuk është e saktë që përfaqësuesit e Kosovës nuk janë ftuar”, tha ajo, duke theksuar se në aktivitet marrin pjesë persona nga të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale.
Programi zyrtar i Forumit të dytë të Zgjerimit të BE-së përfshin përfaqësues të institucioneve europiane, shteteve anëtare të BE-së, vendeve kandidate, shoqërisë civile, bizneseve dhe organizatave rinore.
Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të përfaqësuara në program janë Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Pjesëmarrëse janë edhe Ukraina dhe Moldavia.
Kosova nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të renditur zyrtarisht.
Forumi përqendrohet te e ardhmja e zgjerimit, reformat në vendet kandidate, investimet, rritja ekonomike dhe forcimi i sigurisë europiane.