Nga Rajoni
28 August 2020
Bisedimet në Uashington do të jenë shumë të vështira, thotë ministri i Mbrojtjes i Serbisë

Bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Uashington, do të jenë shumë të vështira, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vullin në programin e mëngjesit të Televizionit “Pink”.

Takimi ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti është paraparë të mbahen në Uashington më 4 shtator.

“Çdo takim është jashtëzakonisht i vështirë, nuk ka asnjëherë diçka të këndshme, ju bisedoni me njerëzit për të cilët e dini se sinqerisht e urrejnë popullin tuaj dhe vendin tuaj dhe që kanë vetëm një interes, dhe kjo është që t’ju dëmtojnë disi. Por, ju duhet të flisni”, tha Vullin.

Siç theksoi ai, fuqitë e mëdha gjithmonë kanë agjendën e tyre dhe nuk i kushtojnë shumë vëmendje “asaj që ne të vegjëlit mendojmë, se a na lëndon diçka apo na bën të lumtur”.

Burimet diplomatike në Bashkimin Evropian paralajmëruan se në fillim të shtatorit do të mund të zhvillohet edhe një raund i bisedimeve të nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 4 shtator, ndërkaq, Hoti dhe Vuçiq pritet të takohen në Uashington, me ftesë të këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Robert O’Brein.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë për synim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.



Të ndryshme
Më shumë
Në Manastir dalja në rrethin e dytë është më e madhe se në zgjedhjet e vitit 201731 October 2021
Mos vallë Young Zerka sapo konfirmoi që është në lidhje?10 January 2024
Rrëfime tronditëse nga fronti në Ukrainë, ish ushtarët rusë flasin për ekzekutime dhe tortura24 February 2026