Nga Vendi
16 May 2025
Katër të lënduar nga zjarri në Koçan kthehen për trajtim në vend, 11 ende në spitale të huaja

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se katër pacientë të lënduar në zjarrin tragjik në spitalin modular të Koçanit janë kthyer në vend dhe po marrin trajtim në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum i Ohrit” në Shkup.

Sipas informacioneve zyrtare, një nga pacientët ka mbërritur dje nga Sofja, dy të tjerë janë kthyer sot nga Beogradi, ndërsa pacienti i katërt pritet të arrijë nesër po nga Sofja. Në ndërkohë, edhe 11 pacientë të tjerë mbeten për trajtim jashtë vendit, në qendra mjekësore në rajon dhe më gjerë.

Ministria thekson se të gjithë pacientët që ndodhen jashtë vendit janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Përveç trajtimit në qendrat spitalore në Shkup, specialistë të Kirurgjisë Plastike vizitojnë disa herë në javë Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit, ku kryejnë ekzaminime, fashime dhe triazh të pacientëve të lënduar. Në procesin e trajtimit dhe rehabilitimit janë përfshirë edhe mjekë specialistë të mjekësisë fizike dhe psikiatrisë, për të ofruar ndihmë të gjithanshme për personat e prekur nga zjarri.

Ministria e Shëndetësisë siguron se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e pacientëve, duke garantuar trajtimin më të mirë të mundshëm dhe procesin e rehabilitimit afatgjatë./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
BDI: VLEN po frikësohet nga mundësia për zgjedhje të parakohshme parlamentare, Mickoski po tregon gatishmëri11 October 2025
Janevska për pushimin dimëror: Gripi nuk merret vetëm në shkolla, por edhe në rrugë dhe gjatë skijimit21 January 2026
Tetovë, kapen emigrantë nga territoret palestineze27 August 2020