Nga Vendi
20 February 2026
Përplasje për Ligjin e Arsimit të Lartë: Ministria premton përmirësime, UNT ngre alarmin për Këshillin e ri universitar

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, deklaroi se Propozim-ligji për arsimin e lartë do të përmirësohet, por theksoi se do të merren parasysh vetëm vërejtjet e argumentuara dhe të bazuara akademikisht.

Ajo u shpreh e kënaqur me dëgjimin e parë publik të mbajtur në Universiteti Nënë Tereza, duke theksuar se profesorët diskutuan lirshëm mbi nenet e projektligjit dhe paraqitën propozime konstruktive.

Sipas Janevskës, ligji do të qëndrojë në ENER deri në ditën e 30-të, ndërsa më pas do të integrohen të gjitha vërejtjet që grupi i punës i konsideron të pranueshme, përpara se drafti final të dërgohet në procedurë të mëtejshme.

Megjithatë, rektori i UNT-së, Bekim Fetaji, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me krijimin e Këshillit të ri universitar. Sipas tij, ky organ do të ketë kompetenca të gjera, madje mbi Senatin, dhe mbi 60 për qind e anëtarëve do të jenë nga jashtë universitetit.

Fetaji paralajmëron se një strukturë e tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt në autonominë universitare, duke i dhënë mundësi ndërhyrjeje ministrit të Arsimit në vendimmarrjen akademike, përfshirë edhe ndryshimin e rektorëve.

Debatet publike për Projektligjin e Arsimit të Lartë pritet të vazhdojnë edhe në universitete të tjera shtetërore, ndërsa versioni final i ligjit pritet të dërgohet në procedurë në fillim të muajit të ardhshëm.



Të ndryshme
Më shumë
LSDM: Viti 2026 do të jetë i vështirë për qytetarët 3 January 2026
Tetovë/ Asnjë i vdekur nga Covid 19 gjatë 24 orëve të fundit13 September 2021
BDI: Në Shtip u kremtua 111 vjetori i pushtimit serb të Maqedonisë, dëshmi që jemi larguar nga vlerat euroatlantike dhe afruar me “Botën serbe” 4 July 2025