Nga Rajoni
10 March 2026
Sulm kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë, institucionet nisin hetimet

Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas një sulmi kibernetik që ka prekur infrastrukturën e tij kompjuterike, ndërsa autoritetet po punojnë për të analizuar incidentin dhe për të rikthyer të dhënat e fshira.

Sipas njoftimit zyrtar, mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 është konstatuar një akses i paautorizuar në sistemin IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vërejtur se një pjesë e informacionit në disa llogari të punonjësve të administratës ishte fshirë.

“Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës”, thuhet në reagimin e Kuvendit.

Autoritetet theksojnë se vlerësimi paraprak teknik tregon se bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili kishte për qëllim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.

Megjithatë, sipas analizave fillestare, infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur dhe faqja zyrtare e Kuvendit si dhe sistemet kryesore vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Menjëherë pas zbulimit të incidentit janë ndërmarrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira.

Për hetimin e rastit është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa mbështetje teknike po ofrohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.



Të ndryshme
Më shumë
Lajmi i fundit: Arrestohen komandantët e dy pikave kufitare dhe krejt policët që ishin në ndërrim14 March 2022
Kuvendi hap garën për anëtar të Antikorrupsionit, kritere të forta për kandidatët18 April 2026
SPB Tetovë filloi me kontrolle të përforcuara për respektim të masave mbrojtëse në komunikacionin rrugor10 July 2020