Nga Vendi
12 March 2026
Përplasjet për gjuhën shqipe në “Safe City”, opozita kërkon dorëheqjen e kreut të Kushtetueses

Deklaratat e fundit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, lidhur me përdorimin e gjuhës në mesazhet e sistemit “Safe City”, kanë nxitur reagime të ashpra nga partitë politike shqiptare në vend.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kostadinovskit, duke e cilësuar qëndrimin e tij si diskriminues. Nga kjo parti theksojnë se, “BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që ndan të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim”. Sipas tyre, ai do të mbajë përgjegjësi për çdo pasojë që mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike.

Reagim ka ardhur edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Kryetari i saj, Ziadin Sela, e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si dëshmi të padrejtësive ndaj shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike. Në reagimin e kësaj partie thuhet se, “ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare që urgjentisht të ndërmarrim veprime konkrete për vendosjen e mekanizmit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese”.

Ndërkohë, reagoi edhe koalicioni VLEN, i cili theksoi se institucionet shtetërore kanë detyrim të garantojnë informimin e qytetarëve në gjuhën e tyre amtare, përfshirë edhe njoftimet e sistemit “Safe City”.

Debati u nxit pasi Kostadinovski deklaroi se sms-porositë për shkeljet në trafik duhet të dërgohen në maqedonisht dhe anglisht për turistët, duke shtuar se, “njohja e gjuhës maqedonase është edhe e drejtë edhe e detyrueshme për çdo qytetar”.



Të ndryshme
Më shumë
SHBA-të vijojnë sulmet ndaj Iranit, Trump kërcënon me masa të ashpra ndërsa nafta kalon 100 dollarë24 July 2026
Maqedoni: Rritet interesimi për vaksinim, dje janë aplikuar 17.679 vaksina10 August 2021
Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut të ndarë rreth perspektivës evropiane të vendit10 November 2025