Nga Vendi
16 March 2026
Karburantet shtrenjtohen sërish në Maqedoninë e Veriut, rriten çmimet e benzinës dhe naftës

Çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut janë rritur përsëri, duke shkaktuar reagime dhe pakënaqësi te qytetarët. Komisioni Rregullator i Energjetikës njoftoi se benzina është shtrenjtuar për 7 denarë për litër, ndërsa nafta për 6.5 denarë, rritje që lidhet me shtrenjtimin e derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Sipas vendimit të ri, çmimet maksimale të karburanteve janë, Eurosuper BS-95 86.50 denarë për litër, Eurosuper BS-98 88.50 denarë për litër, ndërsa Eurodizel 92.00 denarë për litër. Po ashtu, vaji ekstra i lehtë për amvisëri EL-1 shitet me 89.50 denarë për litër, ndërsa mazuti M-1 HC ka arritur në 47.453 denarë për kilogram. Autoritetet theksojnë se tregtarët mund të ofrojnë çmime më të ulëta se maksimumi i përcaktuar.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të çmimeve. Një qytetare tha se shtrenjtimi ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e familjes, duke theksuar se nëse çmimi rritet edhe më shumë, do të bëhet e vështirë përdorimi i automjetit. Ndërsa një pensionist u shpreh se rritja prej disa denarësh është e ndjeshme për të ardhurat e tij, duke theksuar se për një pensionist kjo është shumë.

Sa i përket mundësisë për uljen e akcizës, institucionet sqarojnë se një masë e tillë mund të merret vetëm nëse çmimet ndërkombëtare të naftës kalojnë mbi 800 dollarë për ton. Nëse trendi i rritjes vazhdon, autoritetet paralajmërojnë se mund të ndërhyhet me uljen e TVSH-së, fillimisht nga 18 në 10 për qind, e më pas deri në 5 për qind, në varësi të zhvillimeve në treg.

Rritja e çmimeve lidhet edhe me tensionet në Lindjen e Mesme, ku kriza në rajon ka ndikuar në eksportet e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit. Në dy javët e fundit, pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur me më shumë se 40 për qind, ndërsa në bursat globale kanë kaluar mbi 100 dollarë për fuçi.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se do të nxjerrë në treg 400 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike, sasia më e madhe e lëshuar ndonjëherë, në përpjekje për të stabilizuar tregjet energjetike.

Burimi: Alsat.mk



Të ndryshme
Më shumë
Bora Zemani vetëm po zbukurohet29 July 2021
Izraeli: SHBA dhe vende të tjera na ndihmuan në sprapsjen e raketave iraniane13 June 2025
Maqedoni: Paralajmërohet hapja e pikës kufitare “Mexhitlija” me Greqinë21 June 2021