Nga Vendi
17 March 2026
Vazhdon gjykimi për tragjedinë në “Puls”, dëshmitarët theksojnë shkeljet e sigurisë

Një ditë pas përvjetorit të zjarrit tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, në gjykatë ka vijuar procesi gjyqësor me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.

Para trupit gjykues dëshmoi Verica Milevska-Stefanovska, kryetare e Odës për Sigurim Privat, e cila theksoi se në objekte të tilla duhet të respektohen rreptësisht rregullat ligjore, duke përfshirë ndalimin e pranisë së të miturve. Ajo deklaroi se sigurimi kishte detyrimin të vepronte, duke shtuar, “duke pasur parasysh faktin se në objekte të tilla duhet të respektohen edhe ligje të tjera dhe tabelat që ndodhen në vende të dukshme paralajmërojnë se nuk lejohet prania e të miturve, sigurimi duhej të reagonte ose të paktën të njoftonte pronarin e objektit”.

Gjatë dëshmisë u theksua gjithashtu se përdorimi i mjeteve piroteknike përbën rrezik serioz për sigurinë, ndërsa gjykata nuk lejoi një pyetje lidhur me nevojën për trajnim të personave që i përdorin ato.

Në seancë dëshmuan edhe inspektorë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët nënvizuan se menaxhmenti i diskotekës kishte detyrim ligjor të përgatiste dhe dorëzonte dokumentacionin e nevojshëm për sigurinë, përfshirë planin dhe vlerësimin e rrezikut.

Ndërkohë, Prokuroria Publike kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes për heqjen e arrestit shtëpiak ndaj ish-kreut të Koçanit, Lupço Papazov, duke deklaruar, “Prokuroria Publike në këtë fazë të procedurës konsideron se nuk ka rrethana për të hequr masën e arrestit shtëpiak dhe për ta zëvendësuar atë me masa kujdesi”.

Tragjedia e ndodhur një vit më parë në diskotekën “Puls” mori jetën e 63 personave dhe la mbi 200 të lënduar, ndërsa hetimet kanë përfshirë dhjetëra persona dhe kompani, si dhe punonjës të policisë në procedura të veçanta.



Të ndryshme
Më shumë
Në Uashington Shqipëria dhe Kosova përmenden mes vendeve të para për angazhim ushtarak në Gaza19 February 2026
Sela: Këta që nuk kanë fobi nga lartësia, do i thyejnë hundët shumë keq më 17 tetor 8 October 2021
Maqedonia e Veriut: Në 24 orët e fundit janë bërë 1545 testime dhe janë regjistruar 199 raste të reja covid11 July 2020