Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas ndalimit të katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet në Serbia, duke bërë të ditur se po e ndjek rastin përmes Ambasada e Shqipërisë në Beograd.
Institucioni njofton se ka kërkuar informacion të detajuar mbi rrethanat e ndalimit dhe ka theksuar nevojën për respektimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare. Në reagim thuhet se Ministria, përmes ambasadës në Beograd, po ndjek me vëmendje të plotë rastin dhe se menjëherë pas marrjes së informacionit i është drejtuar zyrtarisht institucioneve përkatëse në Serbi për sqarime të plota dhe garantimin e të drejtave.
Ambasada ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente dhe po ofron asistencë konsullore, duke përfshirë kontaktet me familjarët dhe sigurimin e mbrojtjes ligjore për të ndaluarit.
Ministria thekson se pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të jetë në përputhje me shtetin e së drejtës dhe me garancitë procedurale për çdo qytetar, duke shtuar se situata po ndiqet me seriozitet të lartë.
Sipas raportimeve, katër shtetasit shqiptarë u ndaluan pasi publikuan një video me simbole dhe mesazhe që autoritetet serbe i konsideruan provokuese, ndërsa ata ishin në rrugë drejt Polonisë për të ndjekur ndeshjen e kombëtares shqiptare.
Burimi, A2cnn