Nga Rajoni
31 March 2026
Tensione Kroaci–Serbi, Millanoviç anulon samitin e Bërdo-Brionit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, ka anuluar takimin e radhës të Procesi i Bërdo-Brionit, i planifikuar për në maj, duke përmendur përkeqësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe mungesën e kushteve për pjesëmarrjen e presidentit serb, Aleksandar Vučić.

Në një deklaratë zyrtare, Milanoviç theksoi se “deklaratat dhe veprimet politike të presidentit të Serbisë janë në kundërshtim me qëllimin e Procesit të Bërdo-Brionit dhe rrezikojnë stabilitetin në rajon”. Vendimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, Vuçiç reagoi duke minimizuar vendimin, duke deklaruar se “ai ka të drejtë, unë nuk e kam vendin aty”, dhe duke shtuar se Kroacia mund të ftojë liderë të tjerë nga rajoni.

Tensionet u rritën pas akuzave të Beogradit për ndërhyrje kroate në zgjedhjet lokale në Serbi, të cilat Zagrebi i ka mohuar kategorikisht. Kryeministri kroat, Andrej Plenković, i cilësoi këto pretendime si “plotësisht të pasakta”, ndërsa ministri i Jashtëm, Gordan Grlić Radman, i quajti ato “teori konspirative”.

Procesi i Bërdo-Brionit, i iniciuar në vitin 2013 nga Kroacia dhe Sllovenia, synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë nismë marrin pjesë liderët e disa vendeve të rajonit, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendimi për anulimin e samitit shihet si një tregues i përkeqësimit të klimës politike në rajon, në një periudhë kur bashkëpunimi konsiderohet kyç për stabilitetin dhe perspektivën evropiane.

Burimi: Radio Evropa e Lirë



Të ndryshme
Më shumë
Telekomi serb hyn në Maqedoni, ja planet e serbëve 4 August 2021
Policia e Shqipërisë jep informacion për lëvizjen jashtë vendit11 July 2020
Debat i ashpër në “Opinion”: Berat Buzhala përplaset fizikisht me Albatros Rexhajn gjatë transmetimit LIVE12 February 2026