Nga Vendi
22 April 2026
Kuvendi shqyrton ndryshimet në Ligjin për Qeverinë dhe çështje kyçe për sigurinë e ekonominë

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut pritet të mbajë seancën e 98-të, ku në fokus do të jenë disa propozim-ligje dhe vendime me rëndësi për funksionimin institucional dhe proceset reformuese në vend.

Ndër pikat kryesore është propozim-ndryshimi i Ligjit për Qeverinë, me procedurë të shkurtuar, që synon krijimin e kushteve për heqjen e modelit të qeverisë teknike. Sipas arsyetimit të Qeverisë, kjo nismë synon të sigurojë stabilitet dhe siguri juridike, duke përmbyllur reformat e nisura. Në arsyetim thuhet se përmes kësaj zgjidhjeje synohet përdorim më racional i financave publike, forcim i institucioneve dhe garantim i zgjedhjeve të drejta dhe transparente.

Në rend dite është edhe vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës në misionin e Bashkimi Evropian “ALTHEA” në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe dokumentet strategjike dhe financiare të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike për vitin 2026.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu shpalljen e konkursit për anëtar të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe ndryshimet në Ligjin për kontrollin kufitar, me synim përmirësimin e sigurisë dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Në kuadër të kësaj seance janë paraparë edhe disa propozim-ligje të tjera në lexim të dytë dhe me procedurë të shkurtuar, që lidhen me sigurimin shëndetësor, tatimin mbi vlerën e shtuar, ndërmarrjet publike, koncesionet dhe partneritetin publiko-privat, si dhe fusha të tjera ekonomike dhe sociale.



Të ndryshme
Më shumë
MPB-ja, e gatshme për zgjedhje të drejta22 June 2020
Katër të vdekur pas një shpërthimi në një stacion treni në Ukrainë24 October 2025
Inaugurohet Spitali për Fëmijë, Osmani falënderon Emiratet e Bashkuara Arabe13 September 2021