Nga Vendi
9 June 2026
Meidani nga Shkupi: "Mos u dorëzoni, kujtoni Gonxhen, ajo e ndryshoi botën sepse nuk u dorëzua kurrë"

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, mbajti një fjalim frymëzues gjatë ceremonisë së Absolventiadës në Universitetin "Nënë Tereza" në Shkup, duke u drejtuar të diplomuarve me mesazhe të fuqishme mbi guximin, vendosmërinë dhe bashkëpunimin.

Duke përdorur si shembull historinë e Nënë Terezës, Meidani u kujtoi studentëve se "shumë vite më parë, në rrugët e këtij qyteti ecte një vajzë e re, ajo nuk kishte famë, nuk kishte pushtet, nuk kishte asnjë shenjë që bota do ta njihte një ditë" dhe se ajo vajzë, e njohur si Gonxhe Bojaxhi, sot njihet nga e gjithë bota si Nënë Tereza.

Ambasadori theksoi se "historia nuk është shkruar kurrë nga ata që zgjodhën rrugën e lehtë, historia është shkruar nga ata që vazhduan përpara, edhe kur nuk kishin siguri, edhe kur nuk kishin askënd që t'u thoshte se do t'ia dilnin", duke shtuar se mesazhi kryesor që dëshironte t'u linte ishte i qartë: "Mos u dorëzoni, mos u dorëzoni kur gjërat bëhen të vështira, mos u dorëzoni kur dikush ju thotë se nuk mundeni, mos u dorëzoni para versionit më të vogël të vetvetes."

Meidani nënvizoi gjithashtu se "suksesi nuk matet me sa lart ngjitemi, suksesi matet me sa njerëz ngremë bashkë me ne", duke u bërë thirrje të rinjve të ndërtojnë ura dhe të bashkojnë, jo të ndajnë.

Fjalimi u mbyll me një apel drejtuar brezit të ri: "Dilni në botë me guxim, ecni përpara me dinjitet, me karakter dhe me besim dhe lëreni këtë botë pak më të mirë nga sa e gjetët."

Burimi: Fjalimi i ambasadorit Denion Meidani në ceremoninë e Absolventiadës, Universiteti "Nënë Tereza", Shkup.



Të ndryshme
Më shumë
Takimi me Trump dhe sinjalet politike për një mandat të dytë të Vjosës Osmanit25 January 2026
Tetë shtetas të Maqedonisë, përfshi dhe katër fëmijë u evakuuan nga Izraeli18 June 2025
Moti sot në Maqedoninë e Veriut 1 October 2021