Nga Rajoni
20 July 2026
Zgjerimi i BE-së përballet me sfidën e luftës hibride, Marta Kos: Vendet kandidate janë nën sulm

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian po përgatit një strategji të re për të mbrojtur vendet kandidate nga dezinformimi, ndërhyrjet hibride dhe manipulimi i informacionit, veçanërisht gjatë proceseve zgjedhore. Sipas saj, në fillim të vitit 2027 pritet të nisë funksionimin Qendra për Rezistencë Demokratike, e cila do të mbulojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kos theksoi se, “Shtetet kandidate po sulmohen thjesht sepse kanë zgjedhur integrimin në BE dhe demokracinë”, duke shtuar se qëllimi është forcimi i kapaciteteve të tyre për t’u përballur me fushatat e dezinformimit dhe kërcënimet hibride. Ajo njoftoi se propozimi për këtë qendër pritet të diskutohet më 4 shtator në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate. Duke përmendur Malin e Zi si shembull, Kos tha se pas nisjes së përgatitjeve për traktatin e pranimit në BE, vendi u përball me një valë të re sulmesh hibride dhe narrativash kundër integrimit evropian. Sipas saj, kjo tregon se procesi i zgjerimit është gjithnjë e më shumë objekt i ndërhyrjeve të jashtme. Megjithatë, Komisionerja Evropiane pranoi se sfidat nuk ndodhen vetëm në Ballkan. “Rezistencë ndaj zgjerimit ekziston edhe brenda vetë Bashkimit Evropian”, deklaroi ajo, duke bërë të ditur se Komisioni Evropian prej një viti po zhvillon një fushatë informuese në vendet ku mbështetja publike për zgjerimin është nën 50 për qind, me fokus të veçantë Francën. Sipas Komisionit Evropian, mbrojtja e demokracisë, proceseve zgjedhore dhe institucioneve është tashmë pjesë thelbësore e procesit të anëtarësimit, krahas reformave politike, ekonomike dhe ligjore.



Të ndryshme
Më shumë
Publikohen pamjet e Maradonnës në shtrat me 16-vjeçaren që e akuzon atë se e mbylli në hotel dhe e drogoi me kokainë12 October 2021
Endi Demneri dhe Krenar Çoçaj bëhen prindër për herë të parë të një djali 4 October 2026
“Po ha më pak për hir të vendit”, Koreja e Veriut tregon pse humbi shumë kilogram Kim Jong-un 1 September 2021