Nga Vendi
23 July 2026
Stuhia goditi rëndë Shkupin dhe qytete të tjera, çati të shkulura, pemë të rrëzuara dhe dhjetëra automjete të dëmtuara

Stuhia e fuqishme që përfshiu Maqedoninë e Veriut shkaktoi dëme të shumta materiale në Shkup dhe në disa qytete të tjera të vendit. Në kryeqytet u raportuan 189 pemë të rrëzuara, 117 automjete të dëmtuara dhe 35 çati të dëmtuara, ndërsa përmes numrit 112 u pranuan mijëra raportime për pasojat e motit të keq. Ndër zonat e prekura ishte Çairi, ku pemët dhe pjesët e dëmtuara të ndërtesave shkaktuan dëme në automjete dhe prona. “Në veturë na ka rënë druri, më janë thyer xhamat, ka rënë përmbi. Ma merr mendja se mbi 1000 euro duhet të jetë dëmi”, tregoi një banor, i cili kërkoi ndërhyrjen e ekipeve për kontrollin dhe mirëmbajtjen e pemëve. Dëme janë raportuar edhe në Shkup Veri dhe Fushë Tophanë, ndërsa stuhia ka prekur edhe objekte publike dhe private. Në Kumanovë, Tetovë dhe qytete të tjera janë regjistruar pemë të rrëzuara, automjete dhe çati të dëmtuara. Në Shtip, erërat e forta dëmtuan rreth 50 për qind të çatisë së Spitalit Klinik dhe shkaktuan depërtim të ujit në disa ambiente, duke bërë që një pjesë e pacientëve të zhvendoseshin përkohësisht në hapësira të tjera. Ekipet kompetente kanë vijuar punën për sanimin e dëmeve dhe normalizimin e situatës.



Të ndryshme
Më shumë
Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Covey në ditën e dytë të dëshmisë 1 October 2025
Bullgaria kthen mbi dy ton produkte të kosit nga Maqedonia22 September 2026
Maqedoni: 109 raste të reja dhe 3 viktima 4 September 2020