Nga Rajoni
31 July 2026
Senati amerikan i hap rrugë votimit për 74 emërime, mes tyre edhe kandidatura e Eric Wendt për ambasador në Shqipëri

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë procedurale që i hap rrugë shqyrtimit dhe votimit në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane, mes të cilave edhe kandidatura e Eric Wendt për ambasador të SHBA-së në Shqipëri. Rezoluta u miratua më 30 korrik me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas vijave partiake. Përfshirja e Wendt në këtë listë nuk nënkupton ende konfirmimin e tij në detyrë. Sipas të dhënave zyrtare të Senatit, kandidatura e tij vijon të jetë në Kalendarin Ekzekutiv dhe pret votimin në Senatin e plotë. Kandidatura e Wendt u shqyrtua më 20 maj nga Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë, ndërsa më 4 qershor komisioni votoi me 19 vota pro dhe 3 kundër që emri i tij të kalojë për shqyrtim në Senatin e plotë. Gjatë dëshmisë para senatorëve, Wendt tha se ndihej “i nderuar dhe mirënjohës” për besimin e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio. Ai theksoi se ka shërbyer për më shumë se 34 vite si ushtar aktiv i Shteteve të Bashkuara dhe se, nëse konfirmohet, do të fokusohet në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në vizionin e tij për Shqipërinë, Wendt veçoi katër prioritete: mbështetjen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, rritjen e investimeve amerikane dhe kujdesin për mirëqenien e stafit diplomatik amerikan. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe foli me tone pozitive për marrëdhëniet me vendin, duke deklaruar se “populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”. Nëse konfirmohet nga Senati, Eric Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, duke i dhënë fund periudhës së drejtimit të saj nga të ngarkuarit me punë pas largimit të ambasadores Yuri Kim. 



Të ndryshme
Më shumë
Dënohet me burgim të përjetshëm kosovari që e vrau gruan e tij në Gjermani 5 August 2021
Gjarpri i shpresës, në helmin e tij ka një substancë që ndalon riprodhimin e Covid-1926 August 2021
Radev: Për të vazhduar ndërtimin e marrëdhënieve me vëllezërit tanë nga Maqedonia, duhet të bëjmë një hap drejt së vërtetës historike 3 October 2025