Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e caktuar për 6 gusht, pritet të hapë rrugën për funksionalizimin e institucioneve, por ende nuk garanton përfundimin e plotë të këtij procesi. Edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e saj dhe deputetët e komuniteteve joserbe, arrin të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, mbetet e hapur çështja e sigurimit të 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në këtë situatë, Vetëvendosjes i nevojitet mbështetja e një partneri tjetër politik për të shmangur mundësinë që Kosova të përballet sërish me zgjedhje të jashtëzakonshme. Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shtuar spekulimet për një bashkëpunim të mundshëm mes dy partive, megjithatë deri tani nuk është zhvilluar asnjë takim zyrtar mes palëve. Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se është çështje orësh që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të ftojë Abdixhikun për bisedime. Ajo theksoi gjithashtu se vendosja e kushteve për arritjen e një koalicioni do ta vështirësonte procesin e marrëveshjes. Një marrëveshje mes Vetëvendosjes, partnerëve të saj dhe LDK-së do të siguronte minimumin kushtetues të votave për zgjedhjen e presidentit, por mbetet e paqartë nëse të gjithë deputetët e LDK-së do ta mbështesnin një bashkëpunim të tillë. Megjithatë, pas rizgjedhjes në krye të partisë, Abdixhiku bëri të ditur se deputetët janë të obliguar të respektojnë vendimet e kryesisë së LDK-së. Me konstituimin e Kuvendit nis edhe afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e presidentit. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, Kushtetuta parashikon shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.