Nga Rajoni
10 August 2026
Kërcënimi i Vuçiçit për Ibrin, Shqipëria: Uji nuk mund të përdoret si presion politik

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka rikthyer në qendër të vëmendjes idenë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, duke bërë të ditur se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe përfaqësues të sektorit të ndërtimit. Deklarata vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Beogradit dhe Prishtinës dhe ka nxitur reagimin e Shqipërisë. “Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç. Sipas presidentit serb, ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re dhe daton që nga viti 1985. Çështja është veçanërisht e ndjeshme për Kosovën, pasi sistemi i Ibër-Lepencit dhe liqeni i Ujmanit kanë rëndësi për furnizimin me ujë, ujitjen dhe funksionimin e sektorit energjetik. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar duke e cilësuar çështjen si një problem që nuk mund të trajtohet vetëm si punë e brendshme e Serbisë. “Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme”, theksoi Hoxha. Sipas tij, çdo ndërhyrje që mund të ndikojë në territorin, mjedisin, sigurinë ujore apo furnizimin me ujë të një vendi tjetër duhet të shoqërohet me transparencë, vlerësim të ndikimit ndërkufitar dhe konsultim me palën e prekur. “Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, u shpreh ministri shqiptar, duke nënvizuar se çështje të tilla duhet të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve ndërkombëtare. Ideja për ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit ishte përmendur edhe më herët nga Vuçiç, ndërsa pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok në dhjetor 2024, presidenti serb kishte deklaruar se një ide e tillë ekzistonte prej dekadash.



Të ndryshme
Më shumë
Bujar Osmani: Ne do të vendosim se cila parti politike do të merr pjesë në koalicionin tonë qeveritar19 July 2020
Saranda Bogujevci viziton Preshevën, forcohet bashkëpunimi në fushën e kulturës 9 July 2026
Pornostarja ruse hidhet nga kati i 22-të pasi ndjehej e vetmuar 6 July 2021