Nga Vendi
16 August 2026
50 milionë denarë për kanalizimin në Idrizovë, Hoxha: Po vendosim themelet për kthesën e gjelbër

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, vizitoi Idrizovën në Komunën e Gazi Babës, ku nga afër pa punimet për ndërtimin e kanalizimit sekondar fekal dhe katër stacioneve të pompimit. Projekti, i financuar me 50 milionë denarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, synon përmirësimin e infrastrukturës komunale, kushteve të jetesës së banorëve dhe mbrojtjen e mjedisit. Gjatë vizitës, Hoxha theksoi se investimet në infrastrukturën bazë janë pjesë e një qasjeje më të gjerë për zgjidhjen e problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. “Me këtë projekt, si dhe me të gjitha projektet e financuara nga Ministria, po vendosim themelet për kthesën e gjelbër në mjedisin jetësor në të gjithë vendin”, tha Hoxha. Ai shtoi se fokusi do të jetë te zgjidhjet afatgjata dhe sistematike, duke theksuar: “Vazhdojmë të investojmë në zgjidhje sistematike që zgjidhin në mënyrë të qëndrueshme problemet e qytetarëve.” Investimi në Idrizovë synon që përmes përmirësimit të sistemit të kanalizimit të krijojë kushte më të mira për banorët dhe të kontribuojë në një mjedis më të pastër. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vijuar gjatë këtij viti me financimin e projekteve të infrastrukturës komunale në disa komuna të vendit, me fokus te shërbimet bazë dhe mbrojtja e mjedisit.



Të ndryshme
Më shumë
“Shtetësia”, Zaev: Besoj se Kuvendi do të gjej zgjidhje, pavarësisht bllokadave15 June 2021
Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 December 2025
Maqedoni, vaksina: Kusht për të shkuar në punë27 November 2021