Nga Bota
18 September 2026
Si një hapësirë ligjore mund ta lejojë Erdoganin të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale në Turqi?

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mund të hyjë sërish në garën presidenciale nëse shpallen zgjedhje të parakohshme në prill të vitit 2028, ka lënë të kuptohet këshilltari i tij i lartë, Mehmet Ucum.

Edhe pse zgjedhjet e rregullta janë planifikuar për majin e vitit 2028, Kushtetuta turke lejon mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve më herët.

Ucum u ka thënë mediave turke se zgjedhjet mund të mbahen më 16 prill 2028, me kusht që një vendim të tillë ta mbështesin 360 nga gjithsej 600 deputetët e parlamentit.

“Nëse 360 deputetë e mbështesin vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të reja, ato do të mbahen më 16 prill 2028”, tha Ucum, shkruan euronews.

Ky veprim do t’i mundësonte Erdoganit të anashkalonte kufizimin kushtetues prej maksimumi dy mandateve presidenciale, pasi ligji lejon një kandidaturë të re në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, për miratimin e këtij vendimi do të nevojiteshin marrëveshje politike. Partia në pushtet e Erdoganit, AKP, së bashku me aleatët e saj nga MHP-ja, aktualisht kontrollon 326 ulëse në parlament, që do të thotë se për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme do t’u nevojitej mbështetja e edhe 34 deputetëve.

Përveç kësaj, qeveria deri më tani disa herë ka siguruar publikun se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt.

Erdogani, 72-vjeçar, e drejton Turqinë prej më shumë se dy dekadash. Ai erdhi në pushtet si kryeministër në vitin 2003, ndërsa në vitin 2014 u zgjodh president.

Pas kalimit të Turqisë në sistem presidencial, ai fitoi zgjedhjet e vitit 2018 dhe u rizgjodh në vitin 2023. 



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni, gradualisht kthehen në funksion një pjesë e klinikave22 June 2020
Kreditorët e bankës Eurostandard kërkojnë dëmshpërblim nga shteti i Maqedonisë10 September 2020
Berisha për “KOHA”: “Kryeministri shqiptar”, ide e drejt, nuk duhet të tremb askënd 8 July 2020