Nga Bota
23 September 2026
Nafta bie nën 100 dollarë pas bisedimeve Trump-Iran

Çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë nën 100 dollarë për fuçi, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se përfaqësuesit e SHBA-së dhe Iranit zhvilluan në Nju Jork bisedime që ai i cilësoi si “shumë të mira” dhe “shumë produktive”.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i tregut, tregtohej rreth 98.41 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) ishte në rreth 95.21 dollarë për fuçi për kontratat e muajit të ardhshëm.

Trump tha se takimi mes palëve zgjati rreth tre orë dhe se një tjetër takim pritet të zhvillohet së shpejti. Deklaratat e tij kanë shtuar pritshmëritë e tregjeve se, pavarësisht tensioneve, mund të ketë hapësirë për një zgjidhje diplomatike.

Megjithatë, SHBA-ja dhe Irani mbeten larg një marrëveshjeje. Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa Uashingtoni ka mbajtur bllokadën ndaj porteve iraniane. Paralelisht, luftimet në Jemen kanë ndikuar në eksportet e energjisë përmes Detit të Kuq.

“Takimi treorësh SHBA-Iran ka rëndësi sepse e zhvendos tregun nga një skenar i pastër përshkallëzimi drejt një procesi real diplomatik, edhe pse një marrëveshje përfundimtare duket ende larg”, tha Stephen Innes nga Quintex Intel.

Në rënien e çmimeve ndikoi edhe një tjetër zhvillim: Arabia Saudite raportohet se ka rifilluar operacionet në tubacionin East–West, i cili lejon transportin e naftës saudite drejt Detit të Kuq pa kaluar përmes Hormuzit.

Rijadit iu desh të mbyllte tubacionin pasi dronë të nisur nga Iraku e dëmtuan rrjetin, ndërsa tani vendi synon të rifillojë eksportet përmes kësaj rruge më vonë gjatë javës.

Sipas raportimeve, Saudi Aramco u ka bërë të ditur disa rafinerive aziatike se së shpejti mund të marrin naftë nga porti i Yanbu-së, në Detin e Kuq. Ndërkohë, rafinerive evropiane u është komunikuar se nuk do të marrin naftë saudite në kuadër të marrëveshjeve të furnizimit për tetorin.

Rënia e çmimit të naftës ka ndikuar edhe në tregjet financiare. Në Evropë, kontratat e së ardhmes sinjalizuan hapje pozitive të bursave, ndërsa në Azi shumica e indekseve u rritën. Kospi i Koresë së Jugut u rrit 1.2 për qind, ndërsa Taiex i Tajvanit fitoi 0.9 për qind.

Në Wall Street, Nasdaq e mbylli seancën e së martës me rritje prej 0.5 për qind, duke arritur një tjetër rekord, ndërsa S&P 500 ishte pothuajse i pandryshuar dhe Dow Jones ra 0.4 për qind.

Investitorët po presin gjithashtu takimin e së enjtes mes Trumpit dhe presidentit kinez Xi Jinping, ku pritet të diskutohen tregtia, konkurrenca në inteligjencën artificiale dhe ndikimi i Kinës në marrëdhëniet me Iranin.

Analisti Kyle Rodda nga Capital.com tha se lufta në Lindjen e Mesme mund të ketë ndikim edhe më të madh në tregje, veçanërisht nëse SHBA-ja arrin ta bindë Kinën të përdorë ndikimin e saj mbi Teheranin.



Të ndryshme
Më shumë
SHBA ofron shpërblim deri në 10 milion dollarë për informacione mbi liderët iranianë të organizatave terroriste13 March 2026
Rrëfehet gazetari që kishte arritur ndër të parët pas aksidentit fatal të Princeshës Diana në Paris 1 September 2021
Ndërron jetë personi që mbeti i plagosur në fshatin Batincë11 July 2025