Nga Bota
24 September 2026
Kryetari i Parlamentit malazez nuk pranon të shkarkohet për glorifikimin e Mlladiqit

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Malit të Zi, në rend dite të së cilës ishte iniciativa për shkarkimin e kryetarit të parlamentit, Andrija Mandiq, nuk u mbajt sot për shkak të mungesës së kuorumit.

Iniciativa për shkarkimin e Mandiqit, e propozuar nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), ishte nënshkruar nga 35 deputetë.

Shkak për kërkesën ishte ngushëllimi që Mandiqi i kishte shprehur familjes së ish-komandantit serb të dënuar për krime lufte, Ratko Mladiq, shkruan vijesti.me.

Seanca u shoqërua me përplasje mes Mandiqit dhe deputetëve të opozitës. Mandiqi u largua nga salla para fillimit zyrtar të seancës, ndërsa gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve nuk iu lejua hyrja në sallën plenare.

Deputetët e DPS-së kërkuan transmetim të drejtpërdrejtë televiziv dhe hyrjen e mediave në sallë, në mënyrë që publiku të shihte se cilët deputetë ishin të pranishëm dhe nëse ekzistonte kuorumi për zhvillimin e seancës.

Pas largimit të Mandiqit, deputetë të opozitës i thanë atij “u arratis”, ndërsa DPS e akuzoi kryetarin e Kuvendit se po pengonte zhvillimin e seancës.

Kreu i DPS-së, Danijel Zhivkoviq, deklaroi se partia e tij do të ndërpresë bashkëpunimin institucional me qeverinë dhe shumicën parlamentare derisa të mbahet seanca ku deputetët do të mund të votojnë për shkarkimin e Mandiqit. 



Të ndryshme
Më shumë
Kurti kujton Adem Demaçin: Simbol i qëndresës dhe rezistencës26 July 2026
Salianji akuza ndaj PD-së, përjashtohen mbështetësit dhe fshihen fituesit24 March 2026
Shqipëri, 96 raste të reja dhe dy humbje jete në 24 orët e fundit14 July 2020