Sport
25 September 2026
Kombëtarja mbyll përgatitjet për Bjellorusinë, Asllani e Manaj sfidojnë kohën

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës ndaj Bjellorusisë, që do të luhet ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania”.

Grupi kuqezi është thuajse i plotë, me përjashtim të Klisman Cakes, i cili mungon për shkak të një dëmtimi në hamstringun e majtë.

Ndërkohë, Kristjan Asllani dhe Rey Manaj kanë sfiduar kohën, duke arritur të mbërrijnë në kohë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës. Dy futbollistët janë tashmë me grupin dhe do të jenë në dispozicion për takimin ndaj Bjellorusisë.

Një nga çështjet kryesore për stafin teknik mbetet krahu i djathtë i mbrojtjes, pas dëmtimit të Ivan Balliut. Pikërisht për këtë pozicion, trajneri kuqezi foli edhe më herët gjatë konferencës zyrtare për shtyp të Federatës Shqiptare të Futbollit.

I pyetur për alternativat në dispozicion, tekniku u shpreh se Sina mund ta bëjë shumë mirë rolin e mbrojtësit të djathtë, ndërsa përmendi edhe Ardian Ismajlin si një tjetër mundësi për këtë pozicion.

Në këtë mënyrë, trajneri nuk e përfshiu Sabah Kerjota mes alternativave të përmendura për krahun e djathtë, duke zbehur mundësinë e aktivizimit të tij në këtë rol në takimin e nesërm.

Shqipëria do të përballet me Bjellorusinë më 26 shtator, në stadiumin “Air Albania”, me takimin që do të nisë në orën 20:45.

Gazetare Mirela Haxhiaj



Të ndryshme
Më shumë
Dje janë vaksinuar 17.427 persona në Maqedoni18 August 2021
Vuçiqi kujton takimin e parë me Ramën: Ishim si armiqë, tani s’brengosemi për ato gjëra29 July 2021
Rriten çmimet e shërbimeve të hotelerisë në Maqedoninë e Veriut 9 September 2026