Nga Rajoni
28 September 2026
Mblidhet Këshilli i Sigurisë në Shqipëri, në qendër dosja e Vlora Hysenit

Këshilli i Sigurisë Kombëtare zhvillon këtë të hënë, në orën 08:30, një mbledhje të thirrur nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në Pallatin e Brigadave. Takimi vjen në një moment kur institucionet e sigurisë janë përballë një prej çështjeve më të ndjeshme të viteve të fundit, pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni.

Burime institucionale bëjnë të ditur se diskutimet do të përqendrohen te siguria kombëtare dhe mbrojtja e informacionit të klasifikuar, ndërsa pritet të shqyrtohen edhe mekanizmat që lidhen me funksionimin e institucioneve të sigurisë në raste kur drejtuesit e tyre bëhen subjekt i hetimeve penale.

Në tryezë do të jenë të pranishëm titullarët e 13 institucioneve që, sipas ligjit, përbëjnë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama, i cili u kthye një ditë më parë në Shqipëri pas vizitës gjashtëditore në Shtetet e Bashkuara.

Pas rikthimit, Rama reagoi për situatën e krijuar nga hetimi ndaj Hysenit. Ai deklaroi se ish-kreu i SHISH-it do ta përballojë vetë procesin me drejtësinë, ndërsa e cilësoi masën ndaj saj si ekstreme. Sipas kryeministrit, çështja nuk lidhet vetëm me aspektin penal, por ngre edhe shqetësime që prekin funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjen e interesave shtetërore.

Në mbledhje do të marrë pjesë edhe drejtori i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili drejton përkohësisht institucionin deri në emërimin e kreut të ri. Rama ka bërë të ditur se përzgjedhja e drejtuesit të ardhshëm të SHISH-it do të bëhet në konsultim me Presidentin Begaj.

 



Të ndryshme
Më shumë
Kush do e marrë vaksinën i pari? Vendet e pasura po përpiqen të kapin miliona doza30 July 2020
Dron i panjohur shkel hapësirën ajrore në Finlandë pranë kufirit me Rusinë 3 May 2026
Marshi i 8 Marsit në Shkup me mesazhe për barazi dhe të drejtat e grave 8 March 2026