Nga Rajoni
29 September 2026
Korrigjohet në Wikipedia prezantimi i Hashim Thaçit, largohet cilësimi për krime lufte

Në Wikipedia është larguar nga pjesa hyrëse e biografisë së Hashim Thaçit përshkrimi “kriminel lufte i dënuar”, i cili ishte vendosur pranë emrit të ish-presidentit të Kosovës pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë.

Deri para ndryshimit, faqja hapej me fjalinë: “Hashim Thaçi është politikan kosovar dhe kriminel lufte i dënuar”. Ky formulim nuk figuron më.

Tash, fjalia hyrëse e prezanton atë vetëm si “politikan kosovar”, përpara se të përmenden funksionet që Thaçi ka mbajtur si kryeministër, ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër dhe president i Kosovës.

Çështja e procesit gjyqësor nuk është hequr nga Wikipedia. Ajo trajtohet më poshtë në biografi, ku është shtuar shpjegimi për procesin ndaj tij, por pa e përdorur më cilësimin “kriminel lufte i dënuar” si përshkrim të Thaçit në hapje të faqes.

Ndryshimi është bërë pasi formulimi kishte nxitur reagime dhe kundërshtime në Kosovë.

Për ndryshimin ka shkruar edhe profesori i UBT-së, Blerton Abazi, i cili kishte shpërndarë më herët çështjen dhe më pas njoftoi se teksti në Wikipedia ishte ndryshuar.

“Pjesa ballore e tekstit u ndryshua, ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit. Nuk është më e mira, por megjithatë në hapje të faqes nuk figuron teksti i mëparshëm”, shkroi Abazi.

Ai falënderoi të gjithë për kontributin, duke veçuar në reagimin e tij “grupin e Wikipedia”.



Të ndryshme
Më shumë
Reagon Macron, pasi protestues të dhunshëm dhe plaçkitës “morën në duar” demonstratat paqësore në mbarë Francën18 October 2026
Vulin: Serbia do t’i marrë armët më të fundit nga Rusia, çdo rusofobi është serbofobi11 October 2021
Do përballej me Osli Bylykun pas ndarjes, zbulohet arsyeja pse Egli vendosi të he10 January 2024