Nga Bota
1 October 2026
E quajti Erdoganin “diktator” – Komediani turk dënohet me 19 muaj burg

Një gjykatë në Turqi ka dënuar komedianin Deniz Goktash me 19 muaj e 10 ditë burg, pas deklaratave të bëra gjatë një shfaqjeje humori ku ai kritikoi presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Göktaş u shpall fajtor për fyerje ndaj presidentit dhe për deklarata që autoritetet i konsideruan fyese ndaj vlerave fetare.

Komediani ishte arrestuar në muajin korrik pas një performance në të cilën e përshkroi Erdoğanin si një “diktator të turpshëm”, duke shtuar më pas se presidenti ishte bërë “më i sigurt në identitetin e tij”.

Videoja e shfaqjes u përhap me shpejtësi në internet dhe grumbulloi rreth 9.5 milionë shikime në YouTube.

Sipas të dhënave të bëra publike gjatë procesit, autoritetet morën 185 ankesa në lidhje me performancën.

Göktaş i ka mohuar akuzat se synonte të kryente një vepër penale, duke argumentuar se deklaratat ishin pjesë e një shfaqjeje humori dhe satire politike.

Gjatë mbrojtjes në gjykatë, ai deklaroi se problemi, sipas tij, nuk qëndron te ekzistenca e ligjeve, por te mënyra se si drejtuesit politikë reagojnë ndaj humorit dhe kritikave.

Pavarësisht dënimit, komediani është lënë i lirë ndërsa çështja vazhdon në apel. Kjo do të thotë se ai nuk do ta vuajë menjëherë dënimin me burg.

Rasti ka rikthyer debatin në Turqi mbi kufijtë mes satirës, kritikës politike dhe ligjeve që mbrojnë presidentin nga fyerja.

Legjislacioni turk parashikon ndjekje penale për fyerjen e kreut të shtetit dhe gjatë viteve të fundit nën këtë dispozitë janë hapur çështje ndaj gazetarëve, politikanëve, artistëve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale.

Çështja e Göktaş pritet të vazhdojë në gjykatat e apelit, të cilat do të vendosin nëse dënimi prej 19 muajsh e 10 ditësh do të mbetet në fuqi.

 



Të ndryshme
Më shumë
Ardita Sinani: 4 milionë euro nga Albin Kurti për Luginën. Mbështetje konkrete për vitin 202622 February 2026
Kërkesa e Britney Spears hidhet poshtë nga Gjykata, dështojnë përpjekjet për të hequr babanë nga kujdestaria 1 July 2021
Zgjidhet “dembeli” më i madh në Mal të Zi, qëndroi shtrirë 117 orë25 August 2021