Nga Rajoni
7 October 2026
Kurti: Kosova ka presidente të re dhe institucione, do të punojmë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap drejt stabilitetit institucional të vendit.

Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Justina Shiroka Pulën presidente me 81 vota, në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar në orët e para të 7 tetorit.

Po në të njëjtën seancë, deputetët miratuan me 88 vota ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kurti theksoi se me zgjedhjen e presidentes së re, institucionet e Kosovës tashmë kanë siguruar vazhdimësinë e tyre.

“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile”.

Kurti u ndal edhe te ndryshimet ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Ai tha se institucionet do të angazhohen për të mbështetur procesin e apelit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel”.

Miratimi i ndryshimeve dhe zgjedhja e presidentes erdhën pas një marrëveshjeje të arritur në momentet e fundit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

Ky kompromis mundësoi shmangien e një tjetër bllokade institucionale dhe të zgjedhjeve të parakohshme.

Kryeministri falënderoi deputetët që morën pjesë në procesin e votimit, si dhe kreun e PDK-së, Bedri Hamza, për pranimin e propozimit për kandidaten presidenciale.

“Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!”

Në përfundim, Kurti uroi presidenten e re dhe qytetarët e Kosovës për zgjedhjen e saj.

“Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve”. 



Të ndryshme
Më shumë
Djaloshi 6-vjeçar i mbijeton plumbit në kokë13 August 2021
Dëshironi të jetoni 1 vit në Mars? NASA kërkon katër vullnetarë13 September 2021
Huawei vjen me ndryshime/ Planifikon të instalojë sistemin e tij operativ në smartphone14 September 2020