Nga Rajoni
29 October 2026
Dosja e Prokurorisë: Kunati ia mori jetën Arlindës para syve të djalit të saj dhe fëmijëve të tij

Albert Sylaj dyshohet se e vrau në mënyrë mizore Arlinda Zekajn, gruan e vëllait të tij, duke e goditur me sëpatë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, derisa ajo mbeti e vdekur në vendin e ngjarjes.

Këto janë detajet tronditëse nga dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Klan Kosova, ku përshkruhet nata kritike dhe veprimet e autorit të krimit.

Në dosje thuhet se pasi Arlinda ishte kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunën nga bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, Albert Sylaj, në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij nga policia, e mori një sëpatë dhe hyri në dhomën e gjumit të viktimës.

Sipas përshkrimit në dosje, kur ai u fut në dhomë, Arlinda u përpoq të fshihej pas derës, por i dyshuari filloi ta godiste në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në kokë, si pasojë e së cilës ajo vdiq në vendin e ngjarjes.

Krimin dyshohet se e kreu në prani të fëmijëve të tij dhe djalit të Arlindës.

Prokuroria e cilëson rastin si vrasje të rëndë, të dyshuar se është kryer ndaj një anëtari të familjes, nga hakmarrja e paskrupullt dhe në mënyrë mizore.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, Prokuroria thekson edhe rrezikun e përsëritjes së veprave penale, duke iu referuar të kaluarës penale të Sylajt, për të cilin thuhet se ka katër raste me aktgjykime të formës së prerë.

Po ashtu, sipas dosjes, i dyshuari dyshohet se posedonte një pistoletë të tipit A8 pa leje nga organet kompetente, e cila ende nuk ishte siguruar si provë.

Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar Albert Sylajt një muaj paraburgim, pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë.



Të ndryshme
Më shumë
Shqipëria përgatitet ligjërisht për euron, projektligji i ri përcakton rolin e Bankës së Shqipërisë16 July 2026
Sami Morina zgjidhet kryetar i ri i OEMVP-së, Oda me udhëheqje të re për katër vitet e ardhshme 4 October 2026
VLEN: Duke garantuar se Grubi është i pafajshëm, Ahmeti në fakt po punon që ai të dënohet22 September 2026