Nga Rajoni
11 March 2026
Meloni mbron marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët dhe kritikon vendimet e gjykatave

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka mbrojtur politikën e qeverisë së saj për menaxhimin e emigracionit, duke theksuar se Italia ka të drejtë të ndërmarrë masa për të kontrolluar flukset migratore dhe për të garantuar sigurinë e vendit.

Gjatë një fjalimi në Senatin italian, në kuadër të komunikimeve para mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Bashkimit Evropian, Meloni u ndal edhe te marrëveshja me Shqipërinë për transferimin e emigrantëve në qendra pritjeje jashtë territorit italian.

Ajo deklaroi se qeveria italiane nuk është as bashkëfajtore dhe as e izoluar në politikat e saj për emigracionin, duke theksuar se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë europian.

Kryeministrja italiane kritikoi gjithashtu vendimet e disa gjykatave që kanë revokuar transferimin e emigrantëve drejt qendrave jashtë Italisë, përfshirë ato që parashikohen të funksionojnë në Shqipëri. Sipas saj, këto vendime nuk gjejnë justifikim në ligjin italian, atë europian dhe as në logjikën e thjeshtë.

“Është shumë e trishtueshme të tregosh se edhe persona të akuzuar për krime të rënda arrijnë të shmangin transferimin apo ndalimin vetëm sepse paraqesin në mënyrë instrumentale një kërkesë për azil”, u shpreh Meloni para senatorëve.

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve ka qenë një nga temat më të diskutuara në politikën italiane, pasi parashikon që një pjesë e emigrantëve të shpëtuar në det nga autoritetet italiane të dërgohen në qendra të posaçme në Shqipëri, ku do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.



Të ndryshme
Më shumë
Misse Beqiri rikthehet në ekran ndërsa takimi i saj i parë me Jeffrey Epstein dhe e kaluara e vështirë vazhdon ta ndjekë25 February 2026
Një supernova në Tokë para 33 mijë vitesh 2 September 2020
Arsovska: Kundërkandidati im në këto zgjedhje ishte edhe kryeministri në ikje31 October 2021