Nga Vendi
14 September 2026
VLEN: Qëndrojmë pranë Kosovës dhe vlerave të luftës së UÇK-së

Koalicioni i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut (VLEN) ka shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare.


Në një qëndrim të publikuar të hënën, VLEN duket se është distancuar nga deklaratat e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, ndërsa ka thënë se lufta çlirimtare e Kosovës dhe rrugëtimi drejt pavarësisë janë ndër periudhat më të ndjeshme, por edhe më të lavdishme të historisë së shqiptarëve.

“Ne shqiptarët e kemi ende të gjallë kujtesën për vuajtjet, sakrificat dhe qëndresën e shqiptarëve përballë një regjimi represiv”, thuhet në reagim. Sipas VLEN-it, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte “luftë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare për liri, dinjitet dhe mbijetesë”.
“Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe rezultat i një sakrifice të jashtëzakonshme. Ajo u ndërtua mbi gjakun e dëshmorëve, mbi qëndresën e shqiptarëve dhe mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar VLEN.
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, VLEN ka theksuar se ata po përballen me një proces të rëndë, por ka rikujtuar parimin e prezumimit të pafajësisë. “Akuzë nuk është aktgjykim. Presumimi i pafajësisë është parim themelor i drejtësisë dhe duhet të respektohet deri në fund”, thuhet në reagim.

VLEN ka thënë se qëndron pranë Republikës së Kosovës, shqiptarëve të Kosovës dhe vlerave të luftës së UÇK-së. “Historia nuk rishkruhet me akuza. Shpresojmë dhe besojmë që Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të kthehen të lirë pranë familjeve të tyre”, përfundon qëndrimi i VLEN-it.



Të ndryshme
Më shumë
Adelina Tahiri guxon shumë, flet për ndërhyrjet që ka bërë në fytyrë26 August 2021
Ursula von der Leyen: Kosova të forcojë institucionet dhe të ulë tensionet15 October 2025
Kryeministri bullgar Janev: S’do ketë ndryshim të qëndrimeve në raport me Maqedoninë e Veriut16 September 2021